Edi Rama mban fjalimin e fitores në Tiranë (Video)

Pacolli, Agim Bahtirit: E lartësove sërish AKR-në në bastionin e vet
Atentat ndaj boksierit të njohur shqiptar, plagoset me armë

Kryetari i Partisë Socialiste dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka mbajtur fjalimin e fitores dhe falënderimit në Sheshin “Skenderbej” në Tiranë.

Partia Socialiste zhvilloi një tubim festiv në sheshin “Skënderbej” pasditen e sotme pasi numërimi i votave shkoi drejt fundit dhe rezultati është në favorin e tyre me 74 deputetë.

Edi Rama mbajti një fjalim të gjata duke thënë se Shqipëria ka folur troç dhe “shqiptarët kanë vendosur me një votë qartësisht kuq e zi”.

Ai tha se populli zgjodhi Partinë Socialiste për të qeverisur e vetme vendin. Rama tha se fitorja është e Shqipërisë.

“Ata kanë zgjedhur të ardhmen dhe na kanë thënë të gjithëve se Shqipëria që duam është mbi të majtën dhe mbi të djathtën, misioni i të zgjedhurve është puna për Shqipërinë dhe jo puna e kacafytjeve dhe interesave për pushtetarët. Populli zgjodhi PS për ta udhëhequr vendin si fuqi e vetme qeverisëse dhe duke e pranuar me emocion dhe përulësi këtë zgjedhje, ne do të qeverisim me forcën e shembullit për të gjithë dhe jo me shembullin e forcës për të tjerët. Sfidat sot janë shqiptare, jo socialiste dhe demokrate, të vjetra dhe të reja, të të njëjtit atdhe, të të gjithëve. U them të gjithëve që fitorja është e Shqipërisë dhe merita është e njerëzve të zakonshëm të këtij vendi, barra e madhe e përgjegjësisë për të zgjedhurit e tyre. Shqiptarët nuk zgjodhën për Shqipërinë që kemi, por për atë që duam. Ata duan të provojnë se sa të mirë mund të jemi ne nëse e kemi timonin të vetëm”, u shpreh Rama.

Edi Rama tha se nga sot prioritet do të jetë reflektimi mbi gabimet e bëra deri tani. “Prioriteti ynë i parë duhet të jetë reflektimi për sa shumë duhet të korrigjojmë te vetja jonë në radhë të parë. Mos qoftë e thënë që konkurrentët tanë t’i shohim si armiq dhe ti trajtojmë si të tillë. Ne nuk fituam një kampionat, por morëm një detyrë shumë të vështirë. 4 vitet nuk duhet të jenë një tjetër lojë se kush e ka fajin, por një përpjekje shqiptare për çfarë duhet bërë, për ta bërë Shqipërinë më të mirë. Fushata ka mbaruar, shqiptarët në kanë shikuar, dëgjuar, dhe kanë bënë zgjedhjen. Tani është koha për të vënë veten tonë në shërbim të tyre, përpara interesave tona dhe shqiptarët pa dallim, përpara dallimeve politike, është koha për të vënë flamurin përbashkues kuqezi përpara flamujve të partive politike. Është koha të gjejmë forcën të punojmë së bashku. E ardhmja që duam nuk vjen, por arrihet dhe sa më shumë të bashkëpunojmë”.

Rama foli edhe për marrëveshjen parazgjedhore të arritur me Bashën, madje për të pati edhe falenderim. “Dua ta kem marrëveshjen e 18 majit një busull orientuese. Dua ta falenderoj sot Lulzim Bashën pasi më 18 maj vuri Shqipërinë të parën dhe siç e shohim tani marrëveshja është ajo që është dhe jo si cinikët e kazanit donin t’i bënin shqiptarët të besonin ashtu si shpreheshin ata”, tha Rama.

Në fund të fjalës së tij, ai falenderoj të gjitha qarqet me radhë, ndërsa teksa u ndal te Dibra premtoi se para fillimit të dimrit do të fillojë rruga e “Arbrit”.

Rama më parë kishte shkruar në Facqebook “Asnjë organizim, asnjë detyrim, asnjë festë sonte në 18.30 në sheshin Skënderbej për fjalën e fitores! Kush të dojë është i mirëseardhur”.

COMMENTS