Dhjetë persona dyshohet se vdiqën nga gripi në Kosovë, familjarët nuk lejuan obduksionin

Dhjetë persona dyshohet se vdiqën nga gripi në Kosovë, familjarët nuk lejuan obduksionin

Që nga tetori i vitit 2017 e deri në muajin mars të këtij viti, besohet se më shumë se dhjetë persona kanë ndërruar jetë si pasojë e epidemisë së gripit sezonal nga i cili u prek Kosova. Por, për këtë gjë ende nuk ka të dhëna zyrtare. Udhëheqës së institucioneve shëndetësore kanë thënë për Express se janë disa pacientë që kanë vdekur nga gripi sezonal, por ata kanë pasur paraprakisht edhe sëmundje të ndryshme kronike. Por shkaktar për këtë punë zyrtarisht nuk ka. Familjarët nuk kanë lejuar që këtyre viktimave t’u kryhet obduksioni.

Më shumë se 22 mijë persona u prekën nga gripi sezonal në Kosovë vetëm gjatë gjashtë muajve të fundit. Nga ky numër, raste të dyshimta kanë qenë 3 mijë e 36 me infeksion respirator akut, si dhe 54 raste me sëmundje të rëndë respiratore akute.

Sipas zyrtarëve të Klinikës Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, numri i rasteve të prekura me grip ka rënë. Që nga muaji prill i këtij viti e deri më sot në Infektivë nuk është paraqitur as edhe një rast i vetëm. Kështu i ka thënë Expressit, infektologu Hamdi Ibrahimi.

‘Influenca e gripit sezonal në Kosovë megjithatë ka qenë një sfidë po për fat në tri javët e fundit, sidomos që nga fillimi i muajit prill e kemi një rënie rapide. Mund të ju them se që nga prilli e deri më sot nuk e kemi asnjë rast të pranuar me simptoma të gripit. Muaji dhjetor, janar dhe shkurt ka qenë një fluks i madh i të sëmurëve me sëmundjen epidemike të gripit. Disa raste ku të sëmurët kanë qenë kronikë ju e dini normalisht ka shkaktu edhe pasoja deri në fatalitet’, i ka thënë Expressit Ramadani.

Tutje, drejtori i Klinikës Infektive të QKUK-së, Hamdi Ramadani, ka thënë se ka edhe raste të dyshuara të gripit të cilat kanë përfunduar me fatalitet.

‘Të dhënat të cilat ne i posedojmë, janë disa raste të cilat janë ndërlidhë me sëmundje kronike, të zemrës apo të mushkërive që ka qenë edhe virusi i gripit i pranishëm. Janë disa raste, nuk mund t’i them saktë, por ka që kanë qenë të prekur nga virusi A që është shumë i rrezikshëm dhe shkakton vdekshmëri. Por këta të sëmurë kanë pasë sëmundje kronike me diabet, probleme të zemrës, me tuberkulozë. Dhe në ato raste, një infarkt, një tuberkulozë, një bronhit dhe sëmundja e gripit e ka favorizu sëmundjen dhe ka shkaktua fatalitet’, thotë Ramadani.

Tutje ai tregon se kanë qenë më shumë se dhjetë raste, shumica nga to me të sëmurë kronikë, tek të cilat dyshohet se gripi e ka rënduar gjendjen. Por sipas tij, në asnjërin nga këto raste nuk është kryer analiza e obduksionit. Thotë se familjarët nuk kanë lejuar.

‘Unë nuk mund të them saktë se ka qenë gripi, sepse asnjë rasti nuk i është kryer obduksioni. Ne kemi provu që këto raste të cilat kanë qenë të prekura nga gripi t’iu bëhet obduksioni, familjarët nuk e kanë leju. Obduksioni do ta vërtetonte saktë se a ka qenë virusi i gripit shkaktar. Të gjitha rastet e dyshuara kemi kërkuar që çdo rasti t’i bëhet obduksioni. Kanë qenë më shumë se 10 raste’, ka deklaruar tutje drejtori i Klinikës Infektive të QKUK-së.

E ndërkohë për këtë çështje, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik nuk ka deklaruar ndonjë të dhënë për vdekshmërinë.

Pavarësisht kësaj, nga IKSHPK-ja thonë se e kanë rritur vigjilencën për t’u përballur me raste eventuale të gripit A(H3N2) dhe janë në gjendje gatishmërie ta përcjellin situatën epidemiologjike.

COMMENTS