‘Deri në 2009-ën kemi menaxhuar me territorin e kontestuar me Malin e Zi’

‘Deri në 2009-ën kemi menaxhuar me territorin e kontestuar me Malin e Zi’

Komisioni për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike po mban mbledhje ku po bëhet Shqyrtimi i Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.

Kryetari i Komisionit për Demarkacion Shpejtim Bulliqi, tha se puna e tyre është bazuar në tre hulumtime dhe po të kishin kohë ende, ata do të gjenin ende gabime në raportin që e ka hartuar ish komisioni shtetëror për Demarkacionin.

Sipas tij, pjesa e kontestuar tash pas marrëveshjes së Demarkacionit ka qenë e menaxhuar nga Kosova.

Ai ka thënë se këtë e kanë vërtetuar nga hulumtimet që kanë bërë në institucionet vendore dhe ndërkombëtare.

Sipas tij, deri në vitin 2009 këtë pjesë duke përfshirë edhe mirëmbajtjen e rrugëve e ka menaxhuar Kosova.

‘Nga hulumtimet që kemi bërë në institucionet vendore dhe ndërkombëtare kemi ardhur në përfundim se në pjesën e territorit që është i kontestuar e ka menaxhuar Kosova’.

‘Sipas një shkrese të Policisë së Kosovës pjesën e kontestuar tash, deri më datën 12.01.2009, e ka menaxhuar Kosova. Pala malazeze kishte kërkuar nga Kosova që pas kësaj date më kompanitë e Kosovës mos ti pastrojnë rrugët’, ka thënë Bulliqi.

Kurse profesori i së Drejtës Ndërkombëtare, Zejnullah Gruda, tha se Kosova dhe Mali i Zi nuk kanë bërë demarkacion të kufirit, por caktim të tij.

‘Puna e Komisionit tonë nuk ka qenë në plotëni të autoriteteve tona. Çdo herë është thënë se në mes të Kosovës dhe Malit të zi ka vijë kufitare’, tha ai sot në mbledhjen e Komisionit për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike.

Sipas tij Kushtetuta e vitit 74′, thotë se nuk mund të ndërrohen kufijt pa pëlqimin e njësive.

COMMENTS