Deputetët miratojnë buxhetin për vitin 2017

Me shumicë votash, Kuvendi i Kosovës ka miratuar edhe në leximin e dytë buxhetin e vitit 2017, i cili kap shumën e mbi dy miliardë eurosh.

Pas një diskutimi të gjatë të zhvilluar gjatë seancës të së enjtes, 70 nga 78 deputetë votuan në favor të miratimit të buxhetit.

Përmes debatesh dhe mospajtimesh, jo vetëm ndërmjet deputetëve të pozitës e opozitës, por edhe të vetë partnerëve të koalicionit qeverisës, Kuvendi i Kosovës ka diskutuar të enjten për projektbuxhetin e vitit 2017, që fillimisht u prezantua nga ministri i Financave, Avdullah Hoti.

Hoti tha se buxheti, që kap shifrën e mbi 2 miliardë eurosh, e ka pajtimin e plotë të Fondit Monetar Ndërkombëtar, në të gjitha pozicionet buxhetore me të cilat është përgatitur ai.

Ministri Hoti tha se ‘bazuar në vlerësimet e Ministrisë së Financave, rritja ekonomike për vitin 2017 pritet të arrijë në mbi 4.4%’.

Ndërkohë, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka ftuar deputetët që të votojnë buxhetin për vitin 2017, pasi që, siç e ka theksuar ai, ky buxhet si i tillë është buxhet zhvillimor.

Sipas tij, buxheti për vitin 2017 shpreh përcaktimin për zhvillimin ekonomik, hapjen e vendeve të punës dhe ruajtjen e stabilitetit makro-ekonomik dhe stabilitetit fiskal brenda vendit.

COMMENTS