Demaku zyrtarizon dorëheqjen, drejtohet kah Supremja

Kryetari i Komunës së Drenasit Nexhat Demaku, ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë.

Ai tha se vendimi i Gjykatës nuk është vendim i drejt e as vendim gjyqësor, por vendim i misionit dhe vendim politik.

‘Ata që duhet ta thonë të vërtetën, e kanë thënë të pavërtetën. Dënimi i Grupit të Drenicës nuk është bazuar në provat që i kemi. 10 persona dënohen me një dëshmitar mashtrues, ky është vendim absurd. Do të kërkojmë pezullimin e vendimit të gjykatës derisa të marrim një përgjigje nga Gjykata Supreme’.

Kështu ka deklaruar Nexhat Demaku gjatë konferencës për media ndërsa ka zyrtarizuar dorëheqjen e tij nga ky post

Demaku u shpreh se nuk ka informata se kush do të jetë pasardhësi i tij, por u shpreh se një gjë e tillë do të bëhet e ditur pas shpalljes së zgjedhjeve.

Dorëheqja e Demakut vjen pas vendimit të Gjykatës së Apelit e cila la në fuqi vendimin e Gjykatës Themelore ku e e shpalli atë fajtor me tri vjet heqje lirie.

Kujtojmë se dje, Gjykata e Apelit të Kosovës në Prishtinë ka sjellë aktgjykimin në rastin ‘Drenica II’, me të cilin ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Mitrovicë të datës 27 maj të vitit të kaluar.

I vetmi ndryshim në këtë vendim është se Sylejman Selimit ia kanë ulur një vit burg në 7 nga 8 sa është dënuar.

COMMENTS