Dëbimi i shtetasve turq, akt arbitrar i Kosovës

Dëbimi i shtetasve turq, akt arbitrar i Kosovës

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) përmes një komunikate për media ka shprehur shqetësimin ndaj mënyrës së dëbimit nga Kosova të gjashtë shtetasve të Republikës së Turqisë, zyrtarë të Kolegjit ‘Mehmet Akif’ me datën 29.03.2018.

Sipas informacioneve, arrestimi sikurse edhe dëbimi i shtetasve turq është bërë në bazë të kërkesës së autoriteteve turke, ndërsa institucionet përgjegjëse të Republikës së Kosovës ende nuk janë deklaruar zyrtarisht për rrethanat dhe arsyet e dëbimit të tyre në Turqi. QKRMT, përtej lëshimeve në trajtimin e duhur të këtij rasti, vlerëson se mungesa e transparencës institucionale për rrethanat e rastit është e papranueshme dhe e paprecedentë për një shtet që aspiron demokracinë dhe sundimin e ligjit.

QKRMT duke e konsideruar atë si shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut, ndërsa në pikëpamje ligjore dhe procedurale si veprim arbitrar në mënyrën dhe shpejtësinë e vendosjes për dëbimin e tyre.

Ligji për të Huajt në Kosovë (neni 100 par 1.5) shprehimisht përcakton se i huaji nuk mund të dëbohet nga territori i Republikës së Kosovës nëse ekziston dyshimi i bazuar se i huaji, në vendin e origjinës apo në një vend tjetër, do të dënohet me vdekje, do t’i nënshtrohet torturës, trajtimit çnjerëzor e degradues apo dënimeve për shkaqe diskriminuese. Akti i Torturës dhe formave të tjera të keqtrajtimit janë të ndaluara me Konventat Ndërkombëtare, Kushtetutën e Kosovës sikurse edhe ligjet e tjera të aplikueshme në vend.

QKRMT vëren se për shkak të prioriteteve që Qeveria e Kosovës ka në procesin e integrimit [evropian], rekomandimet e mekanizmave relevant ndërkombëtarë janë esencialisht të dobishëm për t’u përmbushur në frymën e sundimit të ligjit -zbatimit të këtyre parimeve të vendosura dhe të konsoliduara në praktikën e jurisprudencës ndërkombëtare.

QKRMT, tashmë ka reaguar edhe tek institucionet kryesore të vendit si: Presidenca, Zyra e Kryeministrit dhe Ministria e Drejtësisë dhe njëherit kërkon nga to qësa më shpejt që është e mundur të japin sqarimet e nevojshme për opinionin, duke specifikuar rrethanat e këtij rasti, respektivisht urdhërimin dhe zbatimin e këtij veprimi.

Në të kundërtën , institucionet e Kosovës do të rrezikojnë dëmtimin e mëtejmë të kredibilitetit, ndërsa besimi i publikut ndaj tërë sistemit të drejtësisë do të vazhdojë të bie, përfundon reagimi, i nënshkruar nga Feride Rushiti, drejtoreshë ekzekutive e QKRMT.

COMMENTS