De Biasi jep dorëheqje, nuk është më trajner i kombëtares kuqezi

De Biasi jep dorëheqje, nuk është më trajner i kombëtares kuqezi

Kapet me 1 kg kokainë, arrestohet ish-futbollisti (Video)
Kosova dhe Shqipëria humbin në FIFA

Trajneri Gianni De Biasi sot ka dhënë dorëheqje nga kombëtarja shqiptare.

Italiani në një konferencë për media ka thënë të ketë dhënë dorëheqje duke mos pasur një ekip për të cilin do të vazhdonte të punonte si trajner.

‘Nga sot, nuk jam më trajner i kombëtares. Sot, lë drejtimin e kombëtares pa pasur një skuadër tjetër që mund të punoj aktualisht. Po largohem për t’i lënë kohë trajnerit të ri që të njihet me skuadrën gjatë ndeshjeve që kanë mbetur’, tha De Biasi.

‘Pas Evropianit isha i bindur që mund të përmirësoheshim dhe kështu do të jetë, por pa mua’, shtoi ish-trajneri italian i Shqipërisë.

Të martën në konferencën për shtyp pas rikthimit në Shqipëri dhe fitores ndaj Izraelit në Haifa, trajneri Gianni De Biasi konfirmoi largimin nga drejtimi i Kuqezinjve në fund të eliminatorëve, por ndërroi mendje, duke dhënë dorëheqje të mërkurën.

Ndërsa Presidenti i FSHF-së, Duka deklaroi se nuk mendon që cikli i De Biasit me kombëtaren e Shqipërisë kishte përfunduar.

‘Unë nuk mendoj që cikli i De Biasit ka mbaruar. Unë kam pritur gjithmonë fundin dhe më pas kam diskutuar për kontratën, pasi kam menduar që negociatat dëmtojnë qëllimin. Kam besim të patundur që De Biasi ka qenë trajneri më i mirë i kombëtares dhe që ka pasur suksesin më të madh deri më sot. Unë e falenderoj dhe miqësia jonë do të vazhdojë, ndoshta edhe më e fortë’, deklaroi Duka.

Në lidhje me trajnerin e ri, Duka tha: ‘Që sot do të nis të mendoj për pasardhësin. Opsionin e trajnerit shqiptar kurrë nuk e kam përjashtuar. Do të diskutoj me stafin teknik të federatës dhe do të dalim me një qëndrim të pjekur se kush është më e mira për ekipin kombëtar. Nuk jam ende i vendosur për strategjinë që duhet të ndjekim për të ardhmen’.

Deri në përfundim të eliminatoreve ka ende disa ndeshje për të luajtur, por De Biasi do të mbahet mend si trajneri më i suksesshëm në krye të Shqipërisë, si një ndër protagonistët e kualifikimit historik të skuadrës tonë në një kompeticion madhor, siç ishte ai i qershorit të vitit të kaluar në Evropianin francez.

Periudha më e errët e De Biasit në krye të kuqezinjve ishin pesë ndeshjet zyrtare dhe miqësore para përballjes me Izraelin, që të pesta të humbura.

Këto humbje, sidomos ajo ndaj Luksemburgut 2-1, shtuan zërat që kërkonin largimin e tij në mediat dhe analistët sportivë në vend.

COMMENTS