DASH: Kosova lufton ekstremizmin e dhunshëm

DASH: Kosova lufton ekstremizmin e dhunshëm

Haradinaj falënderon kongresmenin Engel për mbështetje
Policia e Shqipërisë arreston një person me 1 tonelatë kanabis

Kërcënimi i ekstremizmit të dhunshëm islamik është në rritje në Kosovë dhe pjesërisht financohet nga organizata të huaja që predikojnë ideologji ekstremiste, thuhet në raportin vjetor të Departamentit amerikan të Shtetit për terrorizmin.

Raporti për vitin 2016 nxjerr në pah se rreth 315 luftëtarë terroristë nga Kosova kanë udhëtuar në Siri dhe Irak për të luftuar me grupet ekstremiste Shteti Islamik dhe Fronti al-Nusrah – 58 prej të cilëve janë vrarë.

‘Qeveria e Kosovës është duke zbatuar një strategji gjithëpërfshirëse dhe plan veprimi kundër ekstremizmit të dhunshëm. Drejtoria Anti-Terrorizëm e Policisë së Kosovës është duke rritur kapacitetet e saj hetuese me rritje të personelit dhe zhvillim të njësisë kibernetike kundër terrorizmit’, thuhet në raport.

Raporti po ashtu thekson se Qeveria e Kosovës ka vazhduar bashkëpunimin anti-terrorizëm me Shtetet e Bashkuara, ndërsa këto të fundit i kanë ndihmuar institucionet e zbatimit të ligjit dhe institucionet gjyqësore në raste aktive kundër terrorizmit.

Raporti kujton se Kosova është anëtare e Koalicionit Global për Mposhtjen e Shtetit Islamik dhe se ka ndërmarrë hapa për të mbështetur përpjekje të ndryshme brenda kapaciteteve të saj.

Kosova është e përqendruar në frenimin e rrjedhës së luftëtarëve të huaj terroristë, si dhe në ndjekjen dhe kufizimin e financimit për grupet terroriste, thekson raporti.

Në këtë kuadër, raporti përmend edhe ligjin që ndalon përfshirjen e qytetarëve të Kosovës në ushtritë e huaja, policitë apo formacionet paraushtarake jashtë territorit të Kosovës, duke paraparë dënime deri në 15 vjet burgim për rastet e tilla.

Si incident terrorist në vitin 2016, raporti i Departamentit amerikan të Shtetit përmend një të 4 gushtit, kur “sulmues të panjohur kanë hedhur një granatë mbi ndërtesën e Parlamentit të Kosovës”. Shpërthimi nuk ka shkaktuar viktima, por vetëm dëme materiale.

‘Autoritetet e zbatimit të ligjit kanë rritur kapacitetin e tyre për të trajtuar rastet e terrorizmit dhe për të shkëmbyer informacione me të gjitha agjencitë, porse sfidat mbeten. Drejtoria Anti-Terrorizëm e Policisë së Kosovës, e cila është përgjegjëse për hetimet kundër terrorizmit, ka kufizime të burimeve që pengojnë aftësinë e saj për të ndjekur të dyshuarit’, thekson raporti.

Në aspektin global, raporti thotë se numri i sulmeve terroriste në vitin 2016 ka rënë për 9%, ndërsa numri i vdekjeve si pasojë e sulmeve terroriste ka rënë për 13%, krahasuar me vitin 2015.

Sipas raportit, kjo ka ndodhur kryesisht për shkak të numrit më të vogël të sulmeve dhe vdekjeve në Afganistan, Siri, Nigeri, Pakistan dhe Jemen.

Pesëdhjetepesë përqind e të gjitha sulmeve kanë ndodhur në pesë vende: Irak, Afganistan, Indi, Pakistan dhe Filipine, thekson raporti i Departamentit amerikan të Shtetit.

COMMENTS