Çollaku: Mosratifikimi i Demarkacionit, dështimi më i madh

Çollaku: Mosratifikimi i Demarkacionit, dështimi më i madh

Këshilltari i presidentit Hashim Thaçi, Bekim Çollaku ka thënë se mosratifikimi i demarkacionit është dështimi më i madh i institucioneve të Kosovës.

Gjatë një interviste për lajmi.net, Çollaku ka thënë se shkak i kësaj bllokade qytetarët e Kosovës kanë mbetur pa viza.

Sipas tij, Bashkimi Evropian nuk është fajtor për çështjen e mosratifikimit pasi nuk ka bërë as presion kohor për këtë çështje.

Ai tha se izolimi i qytetarëve si pasoj e mungesës së liberalizimit të vizave, konsideroj se është dështimi më i madh dhe më i pajustifikuar i institucioneve të Republikës së Kosovës në dy vitet e fundit.

“Kjo situatë është tepër dëshpëruese dhe është dashur të trajtohet me prioritet dhe përgjegjësi të lart. Kjo nuk ka ndodhur dhe ajo çfarë kemi parë deri më tani nga ana e institucioneve tona shtetërore në rastin më të mirë, mund të konsiderohet si neglizhencë për të përfunduar kriterin e fundit të mbetur. Ne, respektivisht Kosova e ka humbur hapin dhe momentumin në këtë proces që një kohë të gjatë. Tani izolimi fatkeqësisht është kthyer në normalitet të përditshmërisë sonë. Pasojat më të mëdha sigurisht i vuajnë qytetarët e Kosovës duke mbetur të izoluar, por edhe udhëheqësit politik dhe institucional në njërën anë, dhe në anën tjetër edhe BE-ja kanë humbur besimin e qytetarëve të Kosovës për dështimin në këtë proces. Liberalizimi i vizave është shndërruar në një dhuratë të shumëkërkuar nga qytetarët të cilën nuk po arrin ta sjell dot në Kosovë babadimri. Tingëllon paradoksale, por ne e duam aq shumë liberalizimin e vizave dhe në të njëjtën kohë, po e refuzojmë atë duke mos plotësuar një kriter të fundit”, ka thënë Çollaku.

Sipas tij, Kosova është ajo e cila ka kërkuar liberalizimin e vizave nga BE-ja dhe jo anasjelltas. “Prandaj brenda BE-së nuk ka presion kohor për këtë çështje dhe as mirëkuptim për të bërë ndonjë kompromisi me kriterin e fundit të mbetur. Për më tepër, edhe përpjekjet tona për të bërë krahasime me shtetet fqinje dhe të tjerat (p.sh Ukraina, Gjeorgjia) të cilave BE-ja iu ka hequr vizat, janë të kota. Prandaj, as që ia vlen të provojmë që ta akuzojmë BE-në për izolimin tonë, për derisa ne nuk e përmbushim këtë kriter të fundit të mbetur. Prandaj, çështja nuk është se a po rrezikojmë të humbim mbështetjen nga ana e BE-së, mirëpo a po rrezikojmë të humbim besimin tek qytetarët tanë? Padyshim se po, rrezikojmë të humbim këtë besim dhe sipas mendimit tim, tani më e kemi humbur”, ka thënë ai.

COMMENTS