Call Center në Kosovë hetohen për dallavere

Të gjitha bizneset “Call Center” që funksionojnë në Kosovë do t’i nënshtrohen një hetimi nga autoritetet zvicerane. Dyshohet se puna e tyre në Kosovë është e paligjshme dhe e pakontrolluar nga institucionet kosovare.

Aktualisht në Kosovë janë të regjistruara 52 “Call Center” që kryejnë shërbime për shtetet si Zvicra e Gjermania.

Por në treg funksionojnë shumë sosh që nuk janë të regjistruara, e të cilat nuk i paguajnë asnjë cent tatim shtetit.

Derisa përfitimet, bazuara në pagat që marrin të rinjtë, janë marramendëse.

Paga mesatare në to është 500 euro, pa përfshirë këtu bonuset që secili punonjës ka varësisht prej punës që kryen, shkruan Gazeta Fjala. Puna e tyre tashme i ka rënë në sy edhe shtetit zviceran.

Madje, mediat zvicerane shkruajnë për nisjen e hetimeve nga shteti zviceran rreth mënyrës se operimit të këtyre bizneseve në Kosovë.

Siç shkruan gazeta zvicerane SRF, në një shkrim të gjatë për mënyrën e funksionimit të tyre, këto biznese blejnë numra zviceran dhe nga Kosova kryejnë shërbime për klientë në Zvicër. Kjo bëhet kryesisht për shkak të fuqisë se lirë punëtore në Kosovë.

“Stafi i Call Center e posedon një udhëzues me pyetje precize. Stafi në Kosovë cakton takime për klientë në Zvicër. Pastaj klientët i marrin informatën e takimeve onlinë në website”, thuhet në shkrimin e SRF-së derisa shpjegohet mënyra e funksionimit të këtyre bizneseve.

Kur klientit i kryhet shërbimi i caktuar, automatikisht stafi në Kosovë pranon një përqindje të mjeteve për shërbimin e kryer. Sipas gazetës zvicrane, agjentët fitojnë para të majme.

“Ne marrim diku mes 350 deri 750 franga. Për çdo punë shtesë të kryer jashtë normës, marrim 50 franga shtesë. Nëse agjenti shet shërbime privatisht, mund të marr shtesë deri në 200 frang”, i ka thënë gazetës zvicerane një agjent në Prishtinë, që punon me një “Call Center”.

52 “Call Center” të regjistruara në Kosovë
Në këto “Call Center” punësohen kryesisht të rinj të profileve të ndryshme, edhe nga ata të cilët kanë përfunduar fakultete në drejtime të shkencave natyrore por që kanë vështirësi në gjetjen e punës në profesionin për të cilin janë të kualifikuar.

Sipas Agjencionit për Regjistrimin e Bizneseve Kosovare (ARBK) janë gjithsej 52 ‘Call Centers’ të regjistruara në Kosovë. Nga to, 36 operojnë në Prishtinë, gjashtë në Prizren, dy në Pejë dhe përkatësisht Mitrovicë si dhe nga një në qytete të tjera.

Por, ky numër mund të jetë edhe më i madh marrë parasysh ekonominë joformale në vend si dhe faktin që disa nga to regjistrohen si biznese telekomunikimi dhe të tjera bëjnë pjesë në kategorinë e bizneseve për qendra telefonike.

Nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) bëhet e ditur se deri në shtator të vitit 2015, këto biznese kanë paguar taksa shtetit në vlerë prej 27.843 euro.

COMMENTS