Bombë dore në afërsi të urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë

Pak para mesnatës së të hënës rreth orës 23:45 është hedhur një mjet shpërthyes, në afërsi të urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë, njoftojnë zyrtarë të policisë. Tash për tash akterët janë të panjohur, shtojnë ata.

Ekipi hetues i Policisë së Kosovës dhe njësia e specializuar e EULEX-it kanë dalë në vendin e ngjarjes, tha shefi i operativës së Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Zhelko Bojiq.

Ai tha se mjeti shpërthyes është hedhur në afërsi të urës në pjesën veriore të qytetit nga ana e majtë e saj.

Ekipet hetuese të policisë kanë vërtetuar se bëhet fjalë për një bombë dore M-75.

‘Në lidhje me rastin është njoftuar prokurori i qarkut i cili e ka karakterizuar rastin si veprë penale të shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm. Nuk ka të lënduar dhe as dëme materiale’, tha Bojiq.

Bomba u hodh një ditë pas heqjes së Parkut të Paqes mbi lumin Ibër dhe fillimit të punëve për revitalizimin e saj, sipas një marrëveshjeje të arritur nga palët dialoguese në Bruksel.

COMMENTS