Blerina Kllokoqi Rugova solli sfilatë si në përralla (Foto & Video)

Blerina Kllokoqi Rugova solli sfilatë si në përralla (Foto & Video)

‘Nata e Helverit’ sjell një histori ankthi në Gjilan (Foto)
Gara e (zh)veshjes (Foto +16)

Për të shpalosur këtë koleksion, disenjatorja Blerina Kllokoqi Rugova ishte kujdesur deri në detaje, ku jo vetëm koleksioni dhe prezantimi por edhe vendi se ku i shpalosi këto kreacione ishte i veçantë dhe i pa shfrytëzuar më herët për evente të tilla, shkruan KultPlus.

Ishin zërat e tifozëve të cilët nisën gjithçka. Ata kishin zënë vend në të dyja anët e skenës nga ku po bënin tifo. Kësaj radhe për koleksionin e disenjatores Blerina Kllokoqi Rugova. Zërat e tyre filluan t’i nxjerrin në skenë një e nga një modelet të cilat në mënyrë të denjë po shpalosnin kështu koleksionin e Blerinës.

E muzika që po i shoqëronte ato gjatë ecjes vinte e papritur. Nga kënga e tifozëve kalohej në këngë në gjuhën angleze, e nga ato kalohej prapë në këngë shqipe. Kështu deri në shpalosjen e këtij koleksioni unik i cili solli rreth 50 veshje tejet të bukura.

Gjithmonë një rëndësi të veçantë disenjatorët ia kushtojnë edhe mënyrës së prezantimit të koleksionit. E për një gjë të tillë, ishte kujdesur deri në detaje Blerina Kllokoqi Rugova, e cila jo vetëm koleksionin dhe prezantimin por edhe vendin se ku i shpalosi këto kreacione e kishte të veçantë dhe të pa shfrytëzuar më herët për evente të tilla.

Ishte Parku Arbëria në kryeqytet vendi i cili mirëpriti një mori mysafirësh nga bota e artit, politikës dhe shoqëria civile. I shndërruar në një skenë të bukur dhe rrethuar me pemë që ishin ndriçuar me ngjyra të ndryshme, gjithçka dukej si në përralla.

Me këtë prezantim Blerina dëshmoi se puna e saj është e veçantë dhe koleksionet e saj gjithmonë vijnë me shumë risi. Kështu erdhi edhe koleksioni ‘Dardania’.

Gjithë ky koleksion, erdhi pas një viti e gjysmë, kohë kjo sa Blerina kishte punuar në të, por sfilata ku u shpalos koleksioni bëri që gjithë kjo pritje të ja vlejë dhe gjithçka të përfundojë me një ‘Wow’ nga ana e të pranishmëve të cilët ishin në numër të madh.

Këngëtarja Nora Istrefi ishte një tjetër e pranishme në këtë mes, ku edhe ajo për KultPlus, foli më shumë rreth këtij koleksioni.

‘Si zakonisht, Blerina realizon fustane shumë të bukura edhe kësaj radhe më pëlqyen jashtë mase. Gjithashtu edhe sfilata ishte shumë në nivel, një ambient shumë i bukur edhe pse nuk e kisha parë më herët, por shumë ide e mirë. Blerinën e njoh që nga studimet në fashion ku kemi qenë bashkë dhe që nga fillimi ajo ka pasur këtë stil dhe pikërisht për këtë arsye më pëlqen, ajo asnjëherë nuk del jashtë vetës, njëjtë si unë që kam dëshirë të identifikohem në muzikë me diçka timen’, ka thënë Istrefi për KultPlus, duke vazhduar t’i uroj shumë suksese në të ardhmen disenjatores Blerina Kllokoqi Rugova.

E krejt për fund, për t’i shprehur emocionet e saj dhe për të folur rreth punës për këtë koleksion dhe këtë prezantim, për KultPlus foli edhe vetë disenjatorja Blerina Kllokoqi Rogova, e cila tha që edhe pse shumë e lodhur pas një pune intensive, ajo është ndarë jashtëzakonisht e kënaqur me këtë prezantim.

‘Ky koleksion vjen pas një pune të madhe dhe një angazhimi të madh të gjithëve që i kisha përreth. Ky koleksion është titulluar ‘Dardania’ sepse gjithçka më rrethon me Dardaninë. Kryesisht për këtë koleksion janë përdorur dantellat transparente’, tha Blerina.

Në këtë sfilatë kishte edhe diçka të veçantë. Në mesin e shumë modeleve nuk munguan edhe modelet e vogla që vinin nga Shoqata ‘Pema’. Ata shkëlqyen në prezantimin e tyre dhe u përcollën me duartrokitje të shumta. Blerina tregoi se fustanet me të cilët u prezantuan fëmijët me Sindromin Down, do të shkojnë dhuratë për shoqatën ‘Pema’.

‘Ne nuk e kemi paraparë që këtë sfilatë ta kemi edhe me fëmijë, por ishte kërkesë e shoqatës ‘Pema’ andaj unë si nënë assesi nuk mund ta refuzoja por kemi punuar me shumë kënaqësi që edhe këta fëmijë të bëhen pjesë e sfilatës duke ja shtuar edhe më shumë bukurinë kësaj ngjarje’, ka thënë Blerina për KultPlus.

Pas sfilatës së mrekullueshme, të pranishmit i priti koktelli i organizuar nga vetë kreatorja ku gjithçka u përcoll me muzikë Live të bendit ‘Fisnikët’.

COMMENTS