Beqaj: Në Prizren do të themelohet qendra e parë e inovacionit

Beqaj: Në Prizren do të themelohet qendra e parë e inovacionit

Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj ka marrë pjesë në hapjen e ‘Takimit Ndërkombëtar të Biznismenëve, Konferencë & Panair-Prizren 2017’.

Në hapje solemne të kësaj ngjarje, ministri Beqaj ka theksuar rëndësinë që ka përkrahja e sektorit privat në rritjen e eksportit të produkteve. Ai ka siguruar se në agjendën e tij në krye të Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, do të jetë prezenca e bizneseve kosovare në tregjet rajonale.

‘Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë do të mbështesë dhe stimulojë rritjen e sektorit privat dhe fokusimin drejt eksportit’, tha më këtë rast ministri Beqaj. Më tej ai ka thënë se në Prizren do të themelohet Qendra e parë e Inovacionit dhe Inkubatori i Biznesit, nga pesë të tilla që do të themelohen në Kosovë, me qëllim të përkrahjes së bizneseve dhe inovatorëve.

Ministri Beqaj ka folur edhe për përkrahjen që Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë (MIN) do t’u ofrojë bizneseve kosovare në plotësimin e standardeve për plasim në tregjet e huaja, në qasjen në panaire ndërkombëtare, në marketing dhe konsulencë për të qenë konkurrentë, si dhe në përkrahjen për rritjen e efiçiencës, ngritjen e standardeve të cilësisë dhe menaxhimin efikas.

‘Takimi Ndërkombëtarë i Biznismenëve, Konferencë & Panair-Prizren 2017’, organizohet për herë të katërt nga ‘Business Forum Prizren’.

COMMENTS