‘Beer Fest’ në vendin dhe kohën e gabuar

Kisha serbe dhe gjenialiteti ynë mahnitës
Maqedonia qan moti për protektorat

Resul Sinani ballina

Nga Resul Sinani

Sheshi ‘Zahir Pajaziti’, në këtë periudhë nuk është vend i përshtatshëm dhe paraqet rrezik shumë të madh për pjesëmarrësit dhe kalimtarët, për organizime të tilla si Beer Fest, gjë e cila u dëshmua mbrëmë!
Nuk jam kundër organizimeve të tilla, por duhet të përzgjidhet vendi. E në këtë periudhë, janë shumë faktorë kundër që pikërisht aty të mbahej.

– Është vendi, apo nyja në të cilën kalojnë më së shumti këmbësorë në qytet.
– Është vendi që tashmë çdo ditë e më shumë dalin për ta kaluar mbrëmjen familjarë, që nga fëmijët e vegjël e deri te gjyshërit!
– Është vendi në të cilin ka shumë banorë nëpër objektet përreth.
– Është vend i rrethuar me objekte në pjesën më të madhe, dhe ikja është shumë e vështirë në raste të tilla paniku!

Përveç këtyre karakteristikave (edhe të tjerave) që nuk janë në favor të mbajtjes së një feste të tillë, poashtu edhe periudha kohore është faktor kyç, që do të duhej të merrej parasysh, nga Organizatori dhe nga Komuna që ia ka dhënë lejen. Në këtë periudhë, jo vetëm ata që jetojnë në Prishtinë, por edhe nga qytete tjera e sidomos bashkatdhetarët tanë janë për pushime në vendlindje, janë më të shumtë në numër që ia msyjnë sheshit për një shetitje në mbrëmje!

Prandaj, edhe Oganizatori, edhe dhënësi i lejes është dashur ta llogarisnin dhe të mos lejonin në asnjë mënyrë që të bëhej përzierja e atyre që duan të marrin pjesë në Beer Fest, me qytetarët që nuk dalin për diçka të tillë. Jo vetëm incidenti si ai mbrëmshmi, por edhe gjithë ato struktura metalike që janë vendosur aty, për një sekondë mund të shndërrohen në ‘armë’ që mund të vrasin pjesëmarrës dhe kalimtarë të rastit.

Ndryshe është ta zëmë platoja mbi Pallatin e Rinisë, në të cilën shkojnë veç ata që duan të marrin pjesë, e jo edhe kalimtarët! Ndryshe është gjithashtu edhe hapësira pas Pallatit të Rinisë që përdoret për parking…apo ndonjë vend në periferi, por në Sheshin ‘Zahir Pajaziti’ në këtë periudhë dhe me faktorët që i përmenda më lart, në asnjë mënyrë nuk do të duhej të lejohej mbajtja e Beer Fest-it.

Po më duket e kot të kërkoj përgjegjësi nga Organizatori dhe nga Komuna, sepse për ata ‘ishte incident i vogël sa për msysh’…e në fakt, ishte incident i mjaftueshëm sa për t’u përballur me drejtësinë! Apo do të duhej të ndodhte humbja e jetëve që atëherë të aktivizohej Prokuroria?!

Ajo që mendoj unë, por që nuk kam besim që do të ndodh, do të duhej të ishte reagimi i qytetarëve, të cilët në mos mbrëmë gjatë natës, sot gjatë ditës do të duhej të shkonin tek vendi për të kërkuar heqjen urgjente të stendave dhe mosvazhdimin e Beer Fest-it! Por, kam përshtypjen së ketyre ‘qytetarëve’ edhe në oborr t’ua organizosh një Beer Fest, siç duket nuk e kanë ndërmend të reagojnë!
Kaq.

P.S.
Shpresoj që mos të ndodhin raste si ai i mbrëmshmi…e për mos të ndodhur veç pakëz duhet të punojmë dhe vendosim duke e përdorur trurin!

COMMENTS