‘Bashkim doganor’, ide e Vuçiqit e rrezikshme për Kosovën

‘Bashkim doganor’, ide e Vuçiqit e rrezikshme për Kosovën

Javën tjetër seanca për ekstradim të Haradinajt (Foto)
Haradinaj autorizon Komisionin e Ri të nisë punën rreth demarkacionit

Ideja për një bashkim doganor dhe treg të përbashkët të Ballkanit perëndimor, nuk i konvenon Kosovës, bazuar në rrethanat aktuale politike dhe ekonomike të saj, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve ekonomike -politike dhe integruese të vendit.

Ideja për bashkim doganor, të cilën e ka favorizuar kryeministri dhe presidenti i sapozgjedhur i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka hasur në mbështetjen edhe të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.

Ndërkaq, në Samitin e Sarajevës, që është mbajtur muajin e kaluar, është propozuar një treg i përbashkët i vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Lumir Abdixhiku, drejtor ekzekutiv i Institutit ‘Riinvest’, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se propozimi për një union doganor të vendeve të Ballkanit perëndimor, buron nga ideja e Serbisë, e cila, sipas tij, ka tendencë për ta shtruar një kontroll dhe ndikim më të madhe ekonomik në rajon dhe me këtë kontroll, të unifikojë edhe hyrjet doganore të vendeve anëtare.

‘Bëhet fjalë për influencë të Serbisë në ekonomitë rajonale dhe natyrisht, Kosova nuk ka një interes të tillë që të ketë një ndikim të Serbisë në këtë rajon, gjithmonë për tu ushqyer pretendimet e Serbisë për status neutral ndaj integrimeve evropiane dhe ndaj influencës ruse në rajon’.

‘Pra, për ne nuk ka kurrfarë përfitimi, përveç se ndikim politik në rritje të Serbisë në rajon. Mungesa e përfitimeve dhe rrjedhimisht, paqartësia e një unioni të tillë e bëjnë këtë projekt tërësisht të parëndësishëm për Kosovën. Do të ishte mirë që Kosova të fliste edhe me Shqipërinë që t’i bindte ata për mosdhënie të përkrahjes, sepse përkrahja fillestare e Shqipërisë është e pakuptimtë dhe e pashpjegueshme në këtë moment’.

Por, Emrush Ujkani, profesor i të Drejtës Evropiane, thotë për Radion Evropa e Lirë se Kosova nuk duhet t’i frikësohet ideve të tilla, sikurse një bashkim doganor ose treg i përbashkët i Ballkanit perëndimor.

Sipas tij, Kosova nuk ka nevojë ta marrë primatin në kundërshtimin e kësaj ideje, por ajo duhet t’i sqarojë vërejtjet dhe t’i realizojë kërkesat e saj, para se një projekt i tillë eventualisht edhe të jetësohet. Ai thekson se Kosova duhet ta ndërtojë dhe ta fuqizojë sovranitetin e saj në çfarëdo kompozicioni.

‘Kosova vazhdon të ketë pengesa të ndryshme nga Serbia, duke i diskriminuar edhe mallrat, produktet që prodhohen në Kosovë. Pastaj, Ksoova dhe qytetarët e saj nuk kanë assesi mundësi të lëvizin lirshëm në bosnjë e Hercegovinë. Kosova është vendi i vetëm që nuk e ka mundësinë që qytetarët e saj të lëvizin lirshëm edhe në zonën Schengen. Mendoj që Kosova, mbi bazën e këtyre tri gjërave, duhet ta ngritë zërin dhe kur këto tri gjëra të sqarohen në njëfarë forme, atëherë, natyrisht që do të ishte e gatshme për ta mbështetur. Kosova nuk ka arsye t’i frikësohet, madje as ta ngritë flamurin për ta kundërshtuar diçka të tillë’.

Në anën tjetër, kryeministri serb Vuçiq, në një intervistë dhënë portalit ‘Politico’ ka theksuar se bashkimi doganor dhe tregu i përbashkët do të nënkutonte ‘ një ish-Jugosllavi plus me Shqipërinë’.

‘Kjo është ide politike pa rrezikimin e sovranitetit të atyre shteteve. Do t’i ngritë ekonomitë tona. Neve na nevojitet norma e rritjes prej katër deri pesë për qind në vit dhe jo tre. Kjo nuk mjafton’, ka thënë Vuçiq.

Por, Abdixhiku vlerëson se ideja e Vuçiqit është pikërisht për një Jugosllavi të re.

‘Në princip princip do të duhej të dukej si një Jugosllavi e re, pra me përjashtim të Kroacisë dhe Sllovenisë dhe me futjen e Shqipërisë. Si e tillë, kjo ide, për Kosovën është e padobishme, sepse integrimet ekonomike i kemi të përmbyllura me marrëveshjen e CEFTA-s dhe asnjë hap tjetër, në unione doganore të këtij formati, nuk i konvenon Kosovës. në të vërtetë, Kosovës nuk i konvenon asnjë bashkim ose union tjetër që nuk ka ngjyrime të Bashkimit Evropian’.

Megjithatë, synimet që dalin nga deklaratat e Vuçiqit, profesor Ujkani, i quan të rrezikshme për Kosovën.

‘Ne e dimë që në kuadër të ruajtjes së sovranitetit të secilit shtet, ai mendon që ta ruaj sovranitetin e vet edhe mbi Kosovën. Prandaj, janë këto dilema që duhet të hiqen përfundimisht. Kosova duhet dhe ka arsye që ta trajtojë drejt Serbinë, si një fqinjë të vetin, por, assesi nuk guxojmë të hyjmë në aventura të tilla, në të cilat Serbia provon një Jugosllavi, ta themi, ekonomike me shtetet e tjera, madje duke përfshirë edhe Shqipërinë, e që në emër të kësaj synon edhe ruajtjen e sovranitetit mbi Kosovën. Kjo nuk guxon të ndodhë’.

Sidoqoftë, Qeveria e Kosovës tashmë ka shprehur qëndrimin kundër projektit të bazuar mbi idenë e Vuçiqit. Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, kohë më parë, në rrjetin social Facebook, pati shkruar se ‘Republika e Kosovës e konsideron të paqëlluar çdo lloj Unioni Doganor apo Tregu të përbashkët rajonal, i cili risjellë në opinion reminishenca të së kaluarës, të cilat janë në interes të të gjitha vendeve’.

COMMENTS