Banorët e Hades: Nuk i lëshojmë shtëpitë pa plotësimin e kushteve

Banorët e Hades: Nuk i lëshojmë shtëpitë pa plotësimin e kushteve

4 vjeçari qëllohet me plumb në kokë për një arsye banale
Kina ua ndalon myslimanëve agjërimin e Ramazanit

Banorët e lagjes së Mirenëve në fshatin Hade janë të vendosur që të mos i lëshojnë shtëpitë e tyre derisa nuk u plotësohen kërkesat si: çmimi i kompensimit të pronave dhe punësimi në Korporatën Energjetike të Kosovës. Megjithatë, të intervistuar nga Radio Kosova, banorët e Hades thonë se edhe jetesën e kanë të vështirësuar kohëve të fundit, pasi që gërmimet në këtë zonë u janë afruar shtëpive më afër se që është e lejueshme, ndërsa zhurma dhe pluhuri janë të papërballueshme.

Të mbytur në pluhur dhe nën zhurmën e ekskavatorëve, të cilët nuk i kursejnë as në mesnatë, banorët e lagjes së Mirenëve në Fshatin Hade po e vazhdojnë jetën me shumë vështirësi.

Edhe pse nuk kanë arritur marrëveshje me Korporatën Energjetike të Kosovës për shpronësimin e tokave, banorët e kësaj lagjeje ankohen se po u bëhet presion nga ana e KEK-ut që t’i lëshojnë shtëpitë duke i filluar gërmimet kohë pas kohe në afërsi të shtëpive të tyre.

Madje, ata thonë se ekskavatorët e KEK-ut, të cilët e kanë rifilluar punën para tri ditëve, e kanë shkel edhe zonën e sigurisë, e cila duhet të jetë 250 metra në distancë nga shtëpitë.

Agon Mirena, njëri nga banorët e lagjes, tha për Radio Kosovën se nuk do të dalin nga pronat e tyre nëse nuk u plotësohen kërkesat.

‘Kanë thënë që deri në shtator nëse nuk i lëshojmë pronat, kanë me hy edhe me dhunë, ata mund të hyjnë edhe me dhunë, por duhet me llogarit që jemi 22 familje, e dinë edhe drejtorët e KEK-ut, kemi thënë edhe më herët që do të shkojmë në “otazha” me ra, e pronat tona nuk i lëshojmë qysh mendojnë ata. Më 6.7.2017 i kanë ndalur punimet Ministria për Miniera dhe Minerale ekskavatorit 10 të Bardhit dhe 9 të Mirashit, para tri dite e kanë lëshuar në prodhim, sot ka filluar edhe me ekskavator të vogël me e bë uljen e pjerrtësisë së dheut, veç për me iu bë presion banorëve’, thotë Agron Mirena

Mirena tha se banorët janë të rrezikuar pasi që gërmimet kanë arritur afër shtëpive në distancë deri në 170 metra.

Edhe Latif Shala, nga lagjja e njëjtë, tha se i lirojnë pronat vetëm nëse kërkesat e tyre plotësohen.

‘Kushtet janë që punësimin e shtëpive me u bë e drejtë, të banueshme senet qysh i kanë parapa ata jemi edhe ne të pajtimit, për punësim jem të interesuar, banorët që janë për t’u punësuar’, thotë Shala, sipas të cilit, vëllai i tij ka marrë pjesë edhe në takim me drejtorin e KEK-ut, Arben Gjukaj, javën e kaluar, por shtoi se nuk kanë arritur asnjë marrëveshje.

Ndërsa, Ujup Mirena, tha se KEK-u nuk po pranon që pako e kompensimit të shtëpive të hartohet në bashkëpunim me banorët, andaj është shprehur se si pronar i tokës nuk do të heqë dore nga pasuria e tij.

‘KEK njëanshëm e ka hartuar atë paketë të kompensimit, derisa ekziston në ato dokumente, do me thënë korniza e politikave për zhvendosje dhe ligji dhe rregullat në fuqi, ato e mbrojnë popullatën por njëkohësisht ato janë rregulla sikur për banorë si për kompani, derisa nuk zbatohen ato standarde ndërkombëtare, korniza e politikave për zhvendosje, ne nuk mund të heqim dorë prej pasurisë tonë’, thotë Ujup Mirena.

Në këtë lagje janë dy shtëpi të cilët kanë deklaruar në medie se e kanë liruar tokën, mirëpo shtëpitë e tyre gjatë ditës së sotme ishin të mbyllura.

Ndërkohë, drejtori i KEK-ut, Arben Gjukaj, i kontaktuar javën e kaluar nga Radio Kosova, ka thënë se korporata që ai e drejton do të vazhdojë punën në bazë të ligjit dhe udhëzimit në fuqi dhe se deri në shtator do të bëhet shpronësimi i të gjitha shtëpive në këtë zonë. Lagjja Mirena në fshatin Hade, ka 22 shtëpi me rreth 200 banorë.

COMMENTS