Avokati Koci: Jam i bindur se Haradinaj do të lirohet nesër

Avokati Koci: Jam i bindur se Haradinaj do të lirohet nesër

Sa të rrezikuara janë zgjedhjet në Kosovë nga ndikimi rus?!
SHBA: Organizohet ceremonia e pranimit të Malit të Zi në NATO

Arianit Koci, avokati mbrojtës i Ramush Haradinaj, ka ripërsëritur qëndrimin e palës mbrojtëse se nesër në Colmar të Francës do të vendoset për lirimin e liderit të AAK-së dhe jo për ekstradim në Serbi.

Ish-kryeministri po mbahet në Francë që nga 4 janari kur u ndal në bazë të një urdhërarresti ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia më 2014.

Koci për Koha.net ka treguar se nesër seanca do të mbahet prej orës 14:00 dhe se është i bindur se Haradinaj do të lirohet. Megjithatë, Koci thekson se vendimi mund të shtyhet për 2-3 ditë deri sa të arsyetohet vendimi.

“Jam i bindur se Haradinaj do të lirohet. Sidoqoftë, Gjykata vendimin mund ta shtyjë për dy apo tre ditë deri sa të merret, përpilohet dhe arsyetohet vendimi”, ka thënë ai për Koha.net.

Avokati i Haradinajt po ashtu ka njoftuar se kërkesën për ekstradim e përfaqëson Prokurori francez, ndërsa pala serbe ka qenë në cilësinë e vëzhgueses.

Këto akuza që po i bëhen Haradinajt, sipas Kocit, janë sepse “Serbia nuk ia falë kurrë Ramushit luftën për pavarësinë e Kosovës”.

Koci thotë se me këto akuza po abuzohet me të drejtën ndërkombëtare, megjithatë, sipas tij, “ato vetëm po e forcojnë edhe më shumë Haradinajn”.

“Diversioneve politike të Serbisë këto ditë do i vjen fundi”, ka thënë ai duke shtuar në fund se pas lirimit do të niset shumë shpejt me procedurat për heqjen e emrit të Haradinajt nga lista e Interpolit.

COMMENTS