Anulohet logoja e kontestuar e 10 Vjetorit të Pavarësisë, kjo është logoja e re

Anulohet logoja e kontestuar e 10 Vjetorit të Pavarësisë, kjo është logoja e re

Kosova i jep mbështetje sulmit të SHBA-së, Francës e Britanisë së Madhe kundër Assadit
Velipoja po e humb edhe avantazhin e vetëm ndaj Ulqinit – çmimet

Këshilli Organizativ për Shënimin e 10 Vjetorit të Pavarësisë ka përzgjedhur një logo të re, pas shqetësimeve të shfaqura në publik, se logoja e parë ishte plagjiaturë, gjë që kishte nxitur edhe reagimin e krijuesve të saj, të cilët për të dëshmuar autenticitetin kishin bërë publike tërë punën praktike sesi kishin ardhur deri te versioni final i saj.

‘Më vjen mirë që Këshilli Organizativ u është përgjigjur pozitivisht shqetësimeve të ngritura në publik rreth ngjashmërisë së logos së dhjetëvjetorit të pavarësisë së Kosovës me një logo tjetër dhe ka vendosur që të ndryshojë atë. Logoja e re do të përdoret për të gjitha organizimet festive dhe për Medaljen Presidenciale Jubilare. #Kosova10’, ka shkruar presidenti Thaçi në Facebook.

Përmes një komunikate dërguar medieve, Këshilli Organizativ për Shënimin e Dhjetëvjetorit të Pavarësisë së Kosovës, thotë se duke pasur mirëkuptimin e autorëve, Këshilli Organizativ ka vendosur që të ndryshojë logon e dhjetëvjetorit të pavarësisë dhe ka prezantuar logon e re, autor i së cilës është Zeni Ballazhi, njëherësh autor edhe i logos së 100 Vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.

Kjo logo ishte përzgjedhur si dizajn për Medaljen Presidenciale të Dhjetëvjetorit të Pavarësisë, por Këshilli Organizativ ka vendosur që ajo jetë edhe logoja zyrtare e tërë manifestimeve.

‘Jemi të vetëdijshëm se nga miliona logo që ekzistojnë në botë, ngjashmëritë rastësore janë shumë të mundshme. Por, e kuptojmë edhe shqetësimin e qytetarëve të Kosovës dhe të institucioneve që përfaqësojmë, që një feste siç është dhjetëvjetori i pavarësisë nuk duhet t’i bie asnjë hije e keqe, sado e vogël që ajo mund të jetë’, thuhet në komunikatën e tyre.

Kjo është komunikata e plotë e Këshillit Organizativ:

Këshilli Organizativ për 10 Vjetorin e Pavarësisë përzgjedhë një logo të re, anulon të parën

Këshilli Organizativ për Shënimin e Dhjetëvjetorit të Pavarësisë së Kosovës i ka pranuar me shqetësim reagimet e publikut për ngjashmërinë e logos së dhjetëvjetorit të pavarësisë me logon e një kompanie gjermane, si dhe i ka shqyrtuar me kujdes të gjitha mundësitë për të vazhduar sa më mirë me organizimet për këtë ditë të rëndësishme për shtetin dhe qytetarët tanë.

Ne i falënderojmë autorët e logos për gatishmërinë e tyre që të japin sqarime deri në detaje për procesin e dizajnimit të logos dhe e vlerësojmë kontaktin që kanë krijuar me kompaninë gjermane për të hequr çdo dyshim se logoja e prezantuar është autentike, përkundër ngjashmërive që kishin këto dy logo.

Jemi të vetëdijshëm se nga miliona logo që ekzistojnë në botë, ngjashmëritë rastësore janë shumë të mundshme. Por, e kuptojmë edhe shqetësimin e qytetarëve të Kosovës dhe të institucioneve që përfaqësojmë, që një feste siç është dhjetëvjetori i pavarësisë nuk duhet t’i bie asnjë hije e keqe, sado e vogël që ajo mund të jetë.

Duke pasur mirëkuptimin e autorëve të asaj logoje, Këshilli Organizativ ka vendosur që të ndryshojë logon e dhjetëvjetorit të pavarësisë dhe të prezantojë logon e re.

I falënderojmë të gjithë ata që kanë konkurruar në konkursin e hapur publik, kurse fituesin e ri, Zeni Ballazhi, i cili ishte përzgjedhur edhe fitues i propozimit për dizajnin e Medaljes Presidenciale për 10 Vjetorin e Pavarësisë, e urojmë për punën e tij dhe e falënderojmë për bashkëpunimin.

COMMENTS