Anulimi i autostradës Prishtinë – Gjilan nga buxheti, Haziri: S’guxon të ndodhë kjo

Anulimi i autostradës Prishtinë – Gjilan nga buxheti, Haziri: S’guxon të ndodhë kjo

Vuçiq: Me shqiptarët na duhet marrëveshje e paqes për 200 vjet
Mustafa: LDK s’ka votë për Kadri Veselin, bëri veprime fëmijërore

Versioni i përgatitur i rishikimit të Buxhetit nga ministri i ri i Financave Bedri Hamza, mori dritën jeshile që t’i dorëzohet Kryesisë së Kuvendit, derisa nga ky buxhet u largua autostrada Prishtinë – Gjilan, e cila ishte paraparë të fillonte këtë vit. Por kryetari i Gjilanit thotë për Expres se autostrada nuk guxon të largohet nga buxheti, përderisa nga Ministria e Infrastrukturës e akuzojnë qeverinë e kaluar për shkelje ligjore rreth procesit të kësaj autostrade.

Ministri i Financave, Bedri Hamza, ka sqaruar sot arsyet e shkurtimit të buxhetit nga 2 miliardë në 1.8 miliard, ndërsa ka konfirmuar se është hequr nga buxheti autostrada për Gjilan. Por për këtë veprim të ministrisë së Financave ka reaguar ashpër kryetari i Gjilanit Lutfi Haziri.

Ky i fundit në një deklaratë dhënë gazetës Express tha se autostrada nuk guxon të largohet nga buxheti.

‘Nuk ka asnjë mundësi ligjore dhe nuk guxon mu largu autostrada nga buxheti..mjetet janë marrë për mbulimin e shpenzimeve dhe pagave që është çështje e qeverisë dhe prioriteteve të saja’, ka sqaruar Haziri të mërkurën për Express.

Por veprimin e Qeverisë që autostrada Prishtinë – Gjilan të largohet nga buxheti e arsyetojnë nga Ministria e Infrastrukturës. Nga ky dikaster thonë se rruga do të bëhet por jo duke e shkelur ligjin siç ka bërë sipas tyre Qeveria e kaluar.

‘Ne nuk i dimë arsyet pse qeveria e kaluar pa elaborat të shpronësimit dhe pa projektin e ndikimit mjedisor e ka shpallë fituesin, pak ditë pa ra qeveria e kaluar. Për këtë arsye krejt procedura është në proces të auditimit’, ka thënë këshilltari i Pal Lekajt, Fatos Mani.

Ai shtoi se vetëm pas këtij procesi do të merren veprimet konform zotimit të Kryeministrit dhe Ministrit Lekaj për ta bërë rrugën e Prishtinë – Gjilan.

Kujtojmë se Qeveria e Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, në mbledhjen e 28 prillit të këtij viti miratoi vendimin për krijimin e Komitetit Drejtues Ndërministror për Zhvillimin e Projektit ‘Autostrada Prishtinë-Gjilan-Dheu i Bardhë’. Ndërtimi i kësaj autostrade ishte paraparë të niste në muajin gusht të po këtij viti.

Kryetari i kësaj komune, Lutfi Haziri pati thënë se kjo rrugë paraqet një rëndësi të madhe infrastrukturore për Kosovën.

‘Ndërtimi i Autostradës së re Gjilan Prishtinë është lajm i madh për tërë vendin jo për vetëm për Gjilanin. Nga këtu do të fillojë ndërtimi i aksit më të madh rrugor që lidh juglindjen e Kosovës me Europë.

Rruga më e re do t’iu mundësojë edhe disa fshatrave të lidhen direkt në rrugën e kombit. E kjo autostradë do të mundësojë që të kalohet edhe në korridore ndërkombëtare të autostradave’, kishte deklaruar Haziri.

Ndërtimi i kësaj autostrade do t’i kushtojë shtetit miliona euro.

COMMENTS