Ambasadori francez tregon se kush po e shtyn liberalizimin e vizave për kosovarët

Ambasadori i Francës në Kosovë, Didier Chabert, gjatë një interviste ekskluzive për gazetën “Zëri” ka folur për vendimin e kryeministrit Haradinaj që ta shkarkojë Komisionin për Demarkacion, ku, sipas tij, duhet respektuar vendimi i shefit të Qeverisë.

Sa i përket dërgimit të Marrëveshjes së Demarkacionit në Arbitrazh Ndërkombëtar, Chabert ka thënë se për këtë nevojitet marrëveshja mes dy palëve dhe nuk ka ndonjë indikacion që Mali i Zi është i gatshëm të pranojë të rihapë temën, të cilën e konsideron të zgjidhur përfundimisht.

“Nga ana tjetër, të kujtojmë se në rastin e mosmarrëveshjes territoriale midis Kroacisë dhe Sllovenisë, Gjykatës së Arbitrazhit të Përhershëm në Hagë i janë dashur tetë vjet për të marrë një vendim. Unë dyshoj që populli i Kosovës do të jetë i disponuar të presë kaq shumë kohë për liberalizimin e vizave”, ka nënvizuar ai.

Zëri: Për ta kaluar Marrëveshjen e Demarkacionit nevojiten 2/3 e votave të deputetëve, të cilat nuk i ka Qeveria e re. Si të gjendet zgjidhja për miratimin e një marrëveshjeje të tillë?

Chabert: Ky është një problem që i përket klasës politike në Kosovë dhe sidomos parlamentarëve te të cilët duhet të mbizotërojnë interesat e përgjithshme para kalkulimeve politike. Pritjet e njerëzve për liberalizimin e vizave janë të mëdha dhe varet nga deputetët e zgjedhur nga populli për t’u përgjigjur aspiratave të popullit. Prandaj është përgjegjësia e tyre për të votuar për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje, pavarësisht nga përkatësia e tyre politike.

Zëri: A mund të hiqet kushti i Demarkacionit nëse Qeveria e Kosovës e dërgon këtë marrëveshje në Arbitrazh Ndërkombëtar?

Chabert: Për Arbitrazh nevojitet marrëveshja e të dyja palëve dhe nuk ka asnjë indikacion se Mali i Zi, i cili ka nënshkruar dhe ka ratifikuar Marrëveshjen për Demarkacionin e Kufirit të saj me Kosovën, është i gatshëm të pranojë të rihapë temën, të cilën ai e konsideron të zgjidhur përfundimisht. Nga ana tjetër, të kujtojmë se në rastin e mosmarrëveshjes territoriale midis Kroacisë dhe Sllovenisë, Gjykatës së Arbitrazhit të Përhershëm në Hagë i janë dashur tetë vjet për të marrë një vendim. Unë dyshoj që populli i Kosovës do të jetë i disponuar të presë kaq shumë kohë për liberalizimin e vizave.

COMMENTS