Akuza pozitë-opozitë në debatin e Kuvendit për Astrit Deharin

Kuvendi i Kosovës po mban seancën e jashtëzakonshme, në të cilën po diskutohet për rastin e vdekjes në burgun e Prizrenit, të aktivistit të Vetëvendosjes, Astrit Dehari, në muajin nëntor.

Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit po mbahet me kërkesën e deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës, që ka theksuar se po e mbështet atë, si dhe pas peticionit të organizuar nga shoqëria civile, me nënshkrimin e mijëra qytetarëve të Kosovës.

Seanca e Kuvendit pason debatet e ashpra ndërmjet shumicës dhe opozitës dhe dyshimeve të ngritura për mënyrën e vdekjes së Astrit Deharit.

Shefi i Grupit Parlamentar të VV- tha se seanca e sotme është ‘rrëmbyer’ nga pushteti. Kjo sipas tij bëhet për të shmangur peticionin e mbledhur nga shoqëria civile me të cilin ‘kërkohet dhe adresohet përgjegjësia dhe dorëheqja e dy ministrave’.

‘Vrasësin për Astritin mund ta identifikojmë lehtë pasi që Astriti ndodhej në institucion. Astriti vdiq jo nga shteti, por nga mungesa e shtetit’, tha Konjufca.

Shefi i Grupit parlamentar të PDK-së, Zenun Pajaziti, tha se megjithëse ‘deputetët e PDK-së e përkrahin një debat të këtillë ai’, sipas tij, ‘nuk do duhej të zhvillohej pasi që me rastin është marrë drejtësia’.

Pajaziti u bëri thirrje organeve të drejtësisë që të vazhdojnë hetimet dhe rasti të qartësohet deri në fund.

‘Ne, sot, duam vetëm drejtësi dhe jo hamendje’, tha Pajaziti.

Kërkesa për një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës për rastin Dehari qe shtruar nga vetë subjekti opozitar Lëvizja Vetëvendosje, por pas tërheqjes se një nënshkrimi të një deputeti të PDK-së, nga 40 të tjera sa ishin mbledhur fillimisht, ajo nuk arriti të mbahet.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, ndërkaq, tha se askush nga deputetët ‘nuk duhet ta marrë rolin e gjykatësit’.

Ai tha se ‘organet kompetente të drejtësisë kanë dhe duhet të kenë besimin e qytetarëve’. Beqiri akuzoi Vetëvendosjen se po e keqpërdor rastin Dehari për, siç tha, ‘përfitime politike’.

Sipas një raporti të autopsisë, që është bërë publik nga autoritetet, ‘Dehari ka bërë vetëvrasje dhe vdekja e tij është shkaktuar nga asfiksia’.

Por, me raportin nuk u pajtua Lëvizja Vetëvendosje dhe njëkohësisht as edhe familja e të ndjerit të cilët e kanë vlerësuar atë ‘të pabesueshëm’.

Një vlerësim i fundit i një grupi të ekspertëve të jashtëm, ka ardhur në përfundimin e ‘vdekjes së dhunshme të Deharit në burg’.

Senaca e Kuvendit të Kosovës po zhvillohet përkundër kundërshtimeve të Vetëvendosjes, dhe njëkohësisht edhe me një protestë të një grupi qytetarësh kërkojnë drejtësi për vdekjen e Astrit Deharit.

COMMENTS