Ahmeti e Haskuka u gëzohen vendimeve për mos-rinumërim të votave

Ahmeti e Haskuka u gëzohen vendimeve për mos-rinumërim të votave

Gjykata Supreme e Kosovës ka vendosur që të mos shkojë në rinumërim të votave në dy komunat e mëdha të Kosovës, në kryeqytet dhe në Prizren, edhe përk

Gjykata Supreme e Kosovës ka vendosur që të mos shkojë në rinumërim të votave në dy komunat e mëdha të Kosovës, në kryeqytet dhe në Prizren, edhe përkundër kërkesave të LDK-së dhe PDK-së.

Ky vendim erdhi pas ankesave që Lëvizja Vetëvendosje i kishte parashtruar në Gjykatën Supreme kundër kërkesave të dy subjekteve politike.

Kryetari aktual i Prishtinës, Shpend Ahmeti, pas këtij vendimi, ka thënë se ‘Gjykata Supreme rrëzoi vendimin skandaloz të PZAP’.

‘Tani duhet të vazhdojë numërimi i votave me kusht dhe votave me postë. Falemnderit të gjithë qytetarëve për mbështetjen e dhënë në proces. Tani edhe më vigjilent në mbrojtje të votës’, ka thënë Ahmeti në Facebook.

Edhe kandidati i VV-së për Komunën e Prizrenit, Mytaher Haskuka, i cili në bazë të rezultateve preliminare të KQZ-së ka dalë fitues i zgjedhjeve ndaj Shaqir Totajt të PDK-së, ka thënë se Gjykata Supreme sot ‘hodhi poshtë vendimin skandaloz të PZAP-së dhe të gjyqtarit të kapur Hasan Shala’.

Ky vendim i drejtë, sipas Haskukës, merr parasysh provat që ‘procesi zgjedhor në Prizren dhe Prishtinë ka qenë i rregullt i dokumentuar nga vëzhgues ndërkombëtarë dhe vendorë, nuk ka pas asnjë vërejtje të shkruar nga asnjë Komisionar, të gjithë Komisionarët kanë nënshkruar të gjitha procesverbalet, dhe në asnjë kuti votimi nuk ka pas shpërputhje në vota të numëruara’.

‘Me këtë vendim Gjykata Supreme na e ktheu të drejtën e votës së lirë që si qytetarë të Republikës e kemi njëherë në 4 vite. Tani kemi shpresë që gjërat mund të bëhen mirë në këtë vend. Por që gjerat të bëhen mirë duhet të kërkojmë përgjegjësi, duhet të nismi kallëzim penal për deklarata të rrejshme për vëzhguesin e PDK-së dhe zyrtarë të PDK-së për trysini dhe kërcenim. Poashtu Gjyqtari Hasan Shala duhet të jep përgjegjësi ngase ka fshehur provat duke injoruar njërën nga deklaratat ku vëzhguesi ka thënë të jetë i kërcënuar nga zyrtarë të PDK-së’, ka thënë Haskuka përmes një postimi në Facebook.

Kujtojmë se sot, Gjykata Supreme e Kosovës ka rrënuar vendimin e PZAP-së që të shkojë në rinumërim në Komunën e Prishtinës dhe atë të Prizrenit pas ankesave që parashtruan LDK për Prishtinë dhe PDK për Prizren.

COMMENTS