AFP: Sfida e Shqipërisë, ekonomia dhe drejtësia

Shqipëria voton me 25 Qershor në zgjedhjet parlamentare të së dielës me shpresën se traditës së manipulimeve, dhunës dhe kontestimit të rezultatit do t’i jepet fund dhe vendi do të marrë shtysën e duhur drejt anëtarësimit evropian.

Duke cituar sondazhet e kohëve të fundit, AFP shkruan se Partia Socialiste e kryeministrit Edi Rama gëzon një avantazh ndaj Partisë Demokratike të Lulzim Bashës. Agjensia prestigjoze e lajmeve vëren se ndonëse Basha, admirues i Presidentit amerikan Donald Trump, i drejton demokratët zyrtarisht prej katër vjetësh tashmë, paraardhësi i tij Sali Berisha mbetet figurë e fuqishme e së djathtës.

Si kreu demokrat, ashtu edhe ai socialist, kanë shpjeguar për AFP-në këndvështrimin për kundërshtarin. Basha konsideron se Rama ka mbështetur një grusht njerëzish që morën në duart e tyre ekonominë e vendit dhe një grup kriminelësh të cilët rrëmbyen pushtetin dhe e kthyen Shqipërinë në ‘farmaci’, duke iu referuar tërthorazi kultivimit të kanabasit.

Rama shfaqet më konciz në mendimin e tij. Për kreun e PS-së, lideri opozitar thjesht nuk është gati për sfidën e qeverisjes së vendit. Përtej përplasjeve megjithatë, kjo fushatë konsiderohet e para ku partitë e mëdha praktikisht i kanë ulur armët e luftës. Për qeverinë e re që do të dalë nga zgjedhjet e 25 qershorit, sfidat mbeten të mëdha, duke nisur nga ekonomia e deri tek drejtësia. Në raportin e fundit, Bashkimi Europian kritikonte në mënyrë të veçantë sistemin e avashtë dhe jo efikas të gjyqësorit, ku korrupsioni mbetet mbizotërues.

Për Ramën, reforma aktuale e këtij sistemi do të prodhojë rezultate pozitive, edhe pse, sipas tij, do të duhet gati një dekadë për gjyqësorin shqiptar që të përmbushë standartet evropiane.

COMMENTS