Adem Grabovci heq dorë nga detyra e shefit të GP të PDK-së

Ka dhënë dorëheqje nga pozita e shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së Adem Grabovci.

Ai ka thënë se këtë akt e ka bërë pas publikimit të përgjimeve ku dëshmohet se si Grabovci dhe zyrtarë të tjerë të lartë të kësaj partie ndikojnë në punësimin e njerëzve të afërt me ta në institucione të pavarura të vendit.

‘Ditëve të fundit janë publikuar biseda në medie të cilat kanë pasur për objekt emrin dhe autoritetin tim politik e njerëzor. Me siguri këto kanë krijuar një ambient jo të këndshëm për opinionin publik, institucionet e vendit, PDK-në, por edhe për mua dhe familjen time. Me qëllim të reagimit tim moral dhe politik ndaj një çështje të tillë dhe hapjes së mundësisë së trajtimit adekuat ligjor të këtij rasti, i cili ka prekur edhe privatësinë, por edhe autoritetin e subjektit politik dhe timin personal, ofroj dorëheqje nga Kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së’, ka njoftuar Grabovci.

Megjithatë, në njoftimin e tij, Grabovci nuk përmend askund se do të dorëhiqet edhe nga posti i deputetit.

‘Unë jam përpjekur vazhdimisht që angazhimi im të jetë çdo herë në kuadër të ligjeve dhe normave demokratike dhe për të mirën e vendit dhe qytetarëve tanë. Vazhdoj të besoj se të gjithë duhet të angazhohemi për një shtet demokratik, ku respektohet ligji, por edhe liritë individuale të secilit prej nesh. Do të vazhdoj të mbroj të drejtat e mia, por edhe të secilit qytetar kur ato cenohen si dhe të respektoj institucionet dhe shtetin tonë’, thuhet në deklaratën e tij.

‘Gjatë jetës sime dhe aktivitetit politik jam atakuar shpesh dhe pasojat nuk janë bartur vetëm nga unë, por edhe nga grupimi politik dhe nga familja ime, që çdo herë ishin afër meje sikur edhe në rastin në fjalë. E di se në momente të caktuara edhe jam sfiduar, por edhe i kam tejkaluar ato, në një mënyrë tjetër edhe tash po sfidohem’, thuhet tutje në letrën e Grabovcit.

Letra përfundon duke falënderuar PDK-në për besimin e dhënë për të mbajtur këtë post.

Përmbajtja e bisedave të përgjuara ka ngjallur një numër reagimesh në Kosovë, në veçanti të shoqërisë civile e të qytetarëve, që i kanë cilësuar ato si shpërdorim të detyrës dhe nepotizëm.

Kryeprokurori i shtetit ka ngritur një komision hetimor për të vlerësuar nëse përmbajtja e bisedave të përgjuara ‘mund të inicojë hetime të mëtejme apo ngritje të padisë’.

COMMENTS