AAK e Nisma reagojnë pas lirimit me kusht të Haradinajt

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është befasuar me vendimin e sotëm të autoriteteve gjyqësore franceze, pas vendimit për lirimin me kusht të Ramush Haradinajt.

‘Ne konsiderojmë se vendimi që ai të lirohet nga paraburgimi, por jo edhe t’i lejohet kthimi në atdhe, nuk është drejtësi e plotë’, thuhet në reagimin e AAK-së.

Kjo parti politike apelon tek organet e drejtësisë në Francë që të përshpejtojnë procedurat dhe t’i japin fund çfarëdo mase kundër Ramush Haradinajt, meqë ai, sipas AAK-së, i ka spastruar të gjitha pretendimet për krime lufte në procesin gjyqësor në Tribunalin Ndërkombëtar për Krime Lufte në ish-Jugosllavi.

‘Njëkohësisht AAK e kupton mospajtimin e miliona mbështetësve të Haradinajt në këtë proces, dhe u bën thirrje të gjithë atyre, që mbështetja për Haradinajn të vazhdojë të jetë civilizuese dhe e dinjitetshme, siç e meriton vet Haradinaj’, thuhet në këtë reagim.

Krejt në fund, AAK shprehet e bindur se mbajtja e Haradinajt në Francë dhe procesi kundër tij, i iniciuar me fletë-arrest politik të Serbisë, do të marrë epilog pozitiv shumë shpejt.

Ndërkohë, Partia Nisma për Kosovën, që udhëhiqet nga Fatmir Limaj, ka shprehur shqetësimin e saj në lidhje me vendimin e autoriteteve gjyqësore franceze, që kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, të mos kthehet në Kosovë, por vetëm të lirohet me kusht.

‘Nisma për Kosovën beson fuqishëm se mbajtja e kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinajt në Francë dhe ky proces kundër tij i iniciuar nga një fletë-arrest i Serbisë, është plotësisht i padrejtë, dhe si i tillë do të marrë përgjigje shumë shpejt në favor të Haradinaj’, thuhet në një komunikatë të kësaj partie politike.

Në fund, partia Nisma kërkon nga organet e drejtësisë në Francë që të përshpejtojnë procedurat dhe t’i japin fund çfarëdo mase kundër Ramush Haradinajt.

COMMENTS