A gënjeu Fitore Pacolli për vizat? Flet Blerta Deliu

A gënjeu Fitore Pacolli për vizat? Flet Blerta Deliu

Kryetarja e Komisionit për Integrime, Blerta Deliu, e ka demantuar deputeten e Vetëvendosjes, Fitore Pacolli, për deklarimet e saj se Kosovës as këtë vit nuk do t’i liberalizohen vizat. Pacolli tha sot se në bazë të takimit që është zhvilluar në mes të Komisionit dhe zyrës së BE-së në Prishtinë, ata kanë marrë sinjale se sivjet nuk do të ketë liberalizim vizash
Por Deliu i hedh poshtë të gjitha këto. Madje ajo thotë se janë dhënë sinjale pozitive për vizat.

‘Takimi ka qenë i mbyllur për media, kështu jemi dakorduar ndërmjet zyrës se BE-së dhe komisionit për Integrime. Përndryshe është totalisht e pavërtetë ajo që ka deklaruar znj. Pacolli.

Takimi është zhvilluar në frymë jashtëzakonisht pozitive dhe, po ashtu, është thënë se sa i përket Brukselit sinjalet janë pozitive’, ka shtuar Deliu.

Tutje, kryetarja e këtij Komisioni tregoi qartë se çfarë është diskutuar, derisa shtoi se kalimi i Demarkacionit është vlerësuar hap shumë i rëndësishëm.

‘Kemi diskutuar lidhur me progresin në ‘track record’, e cila është në duar të gjyqësorit. Si dhe kemi diskutuar si mundet Kuvendi e Qeveria me ndihmu në proces e që është kalimi i ligjeve që burojnë nga MSA, nga raporti i progresit. Është vlerësuar si hap shumë i rëndësishëm ratifikimi i Demarkacionit në Kuvendin e Kosovës’, tha ajo.

Deliu ka kërkuar që për këtë çështje të pyeten edhe Armend Zemaj, Milaim Zeka, Ilir Deda dhe Ahmet Isufi.

Në takimin e zhvilluar pa prezencën e mediave, Fitore Pacolli tha se Kosova ka dështuar të bëjë hapa konkretë sa i përket luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar, kushtit të fundit për liberalizimin e vizave.

‘Sapo u ktheva nga një takim që e kishim më përfaqësues të Zyrës së BE-së për të diskutuar rreth përmbushjes së kriterit të luftimit të korrupsionit, për liberalizim të vizave. Nga ajo që pamë është tashmë e sigurt që nuk do të ketë liberalizim të vizave sivjet dhe është shumë e qartë që Kosova nuk ka bërë ndonjë hap konkret sa i përket luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar’, ka thënë Pacolli.

Deputetja e VV-së ka thënë se përfaqësuesit e Zyrës së BE-së shpresonin se do të merrnin propozim pozitiv nga Komisioni Evropian mirëpo sipas saj, Kosova nuk ka bërë mjaftueshëm për përmbushjen e kushtit të fundit për vizat.

COMMENTS