400 aplikacione për statusin e viktimave të dhunës seksuale

400 aplikacione për statusin e viktimave të dhunës seksuale

Në komisionin qeveritar për verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës nga 5 shkurti kanë pranuar 400 aplikacione. Në nëntor të vi

Në komisionin qeveritar për verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës nga 5 shkurti kanë pranuar 400 aplikacione.

Në nëntor të vitit të kaluar, Qeveria kishte marrë vendim që pagesa mujore për kategorinë e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës të jetë rreth 230 euro, raporton Ekonomia Online.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), Skender Reçica, tha se aplikuesve iu është pranuar zyrtarisht statusi i viktimave të dhunës.

Ai më tej ka sqaruar se një pjesë e tyre janë proceduar për pagesë, duke shtuar se i gjithë ky proces është planifikuar të zgjasë 5 vjet.

‘Që nga 5 shkurti i këtij viti kur zyrtarisht është bërë lansimi i datës së momentit për fillimin e pranimit të aplikacioneve të viktimave gjatë luftës së fundit e deri në këto momente kur po flasim janë rreth 400 aplikacione që komisioni i ka pranuar është duke i shqyrtuar. Një pjesë e këtyre aplikacioneve tashmë aplikuesve iu është pranuar zyrtarisht statusi i viktimave të dhunës dhe një pjesë e tyre tashmë është proceduar për pagesë dhe unë besoj që shumë shpejtë do t’i gëzojnë pagesat e para’, ka thënë Reçica.

Komisioni Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusin e personave të dhunuar gjatë luftës çlirimtare në periudhë prej 30 ditësh e shqyrton kërkesën e aplikuesit. Ai tha se ka raste që iu është refuzuar kërkesa.

‘Komisioni është duke kryer detyrën me shumë kujdes me shumë përgjegjësi, rastet po trajtohen, ka raste që iu është njohur e drejta, por ka raste që u janë refuzuar’, ka shtuar ai.

Ndërsa pensionet për veteranët mbeten ende sfidë për vendin, sipas MPMS-së është proces në vazhdimësi dhe nuk dihet kur do të përfundojë.

‘Në realitet ky proces është në vazhdimësi duke u zhvilluar, ne jemi të vetëdijshëm që kur morëm detyrën për të drejtuar MPMS-në hasëm me disa vendime që në një mënyrë apo tjetrën kategorive të dala nga lufta iu është mohuar e drejta e tyre e garantuar me ligj dhe tashmë ato vendime i kemi prezantuar më shumë se një herë, i shfuqizuam me kohë dhe jemi duke i trajtuar në bazë të ligjit për kategoritë e dala nga lufta’.

Ai ka shtuar se nuk dihet saktë sa do të shkojë numri final i veteranëve, por që MPMS-së sipas tij ka obligim ligjor të sigurojë mjete buxhetore për të gjithë veteranët në listë.

‘Nuk e dimë saktë sa do të jetë numri final i veteranëve sepse nuk varet nga ne, tashmë ne bëjmë një shërbim pas njohjes e statusit të veteranëve, jemi të obliguar në bazë të ligjit të sigurojmë mjete, të sigurojmë buxhet që gjithë ata veteranë që janë në listë t’i gëzojnë të drejtat e tyre’, ka thënë ai.

Kujtojmë se muajin e kaluar, Feride Rushiti, ka thënë se gjatë këtij viti pritet të aplikojnë rreth 1000, 1200 veta.

‘Ndoshta në vitin e dytë dhe tretë do të rritet numri për faktin se do të ketë më shumë fushata, duhet të ketë më shumë vetëdijesim të popullatës, edhe para së gjithash, të parët që do ta marrin benificionin, mund të shërbejë si shembull i mirë për gratë e tjera dhe burrat e tjerë për t’i stimuluar që edhe ata të kenë një benificion apo pension personal që ju siguron shteti. Pra, presim një rritje në vitin e dytë’, ka thënë ajo.

Por, gjatë muajit të kaluar numri sillej rreth 130 ndoshta 140.

COMMENTS