104 zyrtarë nuk deklarojnë pasurinë, 30 aktakuza të ngritura

104 zyrtarë nuk deklarojnë pasurinë, 30 aktakuza të ngritura

Procesi i deklarimit të pasurisë nga ana e zyrtarëve të lartë po ecën ngadalë. Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Shaip Havolli, ka kërkuar që procesi i deklarimit të përfundojë me kohë. Janë mbi 4 mijë zyrtarë të shtetit që duhet ta deklarojnë prejardhjen e pasurisë.

Shaip Havolli, drejtor i Agjencisë Kundër Korrupsionit, ka thënë se zyrtarët e lartë shtetërorë janë të obliguar të deklarojnë pasurinë deri në fund të marsit. Numri total i zyrtarëve që obligohen të deklarojnë pasurinë është 4474 zyrtarë, tha Havolli.

‘Procesi është duke shkuar ngadalë. Në rast vonese për deklarim, ata do të sanksionohen nëse nuk kanë asnjë arsye. Ne si agjenci e kemi më vështirë t’i kontrollojmë gabimet teknike në rast se nuk e deklarojnë deri ditën e fundit. Pas përfundimit të të gjitha çështjeve teknike të këtij procesi, agjencia do të organizojë aktivitet publik të hedhjes së shortit për kontrollin e plotë të pasurisë, që sipas Ligjit për Deklarimin e Pasurisë, do t’i nënshtrohen 20 për qind e listës së përgjithshme të zyrtarëve të lartë publikë që kanë deklaruar pasurin për vitin 2018’, citon RTK atë.

Mirëpo Ehat Miftaraj, nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë se kjo metodologji e hedhjes së shortit nuk ka prodhuar asnjë rezultat.

‘Edhe me ligj është e caktuar që zyrtarët e lartë të deklarojnë pasurinë në bazë të shortit, kjo nuk ka prodhuar asnjë rezultat. Kjo për faktin që edhe për kundër asaj se është bërë verifikimi i pasurisë asnjëherë nuk ka përfunduar ndonjë rast, ndonjë aktakuzë apo ndonjë person i dënuar për deklarim apo s’përputhje të pasurisë’, tha ai.

Instituti Demokratik i Kosovës ka kërkuar nga shteti që të gjenden prova dhe fakte në bazë të Ligjit për prejardhjen e pasurisë së zyrtarëve të lartë publikë.

Ndërkaq, Prokuroria e Shtetit, përmes një përgjigje elektronike, ka treguar se kanë pranuar 104 raste që nuk kanë deklaruar pasurinë, apo kanë deklaruar rrejshëm. Prej tyre vetëm 30 zyrtarëve u është ngritur aktakuzë pas zhvillimit të hetimeve.

COMMENTS