​Ministri Hasani thërret bizneset të aplikojnë në fondin COSME

​Ministri Hasani thërret bizneset të aplikojnë në fondin COSME

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, tha se fondi COSME është një mundësi e mirë për bizneset që të qasen në këto fonde për t’i rritur k

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, tha se fondi COSME është një mundësi e mirë për bizneset që të qasen në këto fonde për t’i rritur kapacitetet dhe vendet e punës.

Ai këto komente i bëri sot në punëtorinë e organizuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, respektivisht nga Agjencia për Investime dhe Përkrahje të Ndërmarrjeve (KIESA), e cila ka për qëllim ofrimin e informatave relevante përfituesve potencialë në lidhje me programin e BE-së për konkurrencën e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në fondin e BE/COSME.

Hasani ka thënë se Qeveria e Kosovës ka obligime që dalin nga anëtarësimi në këtë fond, e që sipas tij, ka ndodhur që shtetet fqinje nuk kanë mundur të përfitojnë.

‘Duhet të kemi shumë kujdes për shfrytëzimin e këtij fondi për shkakun se ka qenë shqetësim për ta shfrytëzuar më së miri këtë program nga ndërmarrjet tona. Shtetet fqinje që janë anëtare ka ndodhë që nuk kanë mundur të përfitojnë, për faktin se nuk kanë qenë të përgatitura ndërmarrjet për të dalë me një plan biznesi dhe kanë dështuar duke mos mundur të përfitojnë’, ka thënë ministri Hasani.

Ai u shpreh optimist se ndërmarrjet e Kosovës do të përfitojnë nga fondi, duke shtuar se do të jenë në dispozicion të plotë që të japin informata shtesë.

‘Unë besoj shumë se Kosova do të përfitojë nga këto fonde, por gjithnjë do të jemi përkrahës. Unë besoj që edhe KIESA do të jetë shumë bashkëpunuese dhe për çdo gjë që keni ju kisha lutur t’i drejtoheni kësaj agjencie. Për çdo informatë shtesë rreth shfrytëzimit të fondit jemi në dispozicion të plotë me qëllim më të mirën që të përfitojë Kosova’, ka thënë Hasani.

Ai ka shtuar se obligimet e Qeverisë së Kosovës janë 450 mijë euro që dalin nga anëtarësimi dhe për këtë duhet të shfrytëzuar mundësia.

Ministri Hasani po ashtu ka thënë se do të ndajnë një fond për t’i informuar ndërmarrjet që të përgatiten më lehtë.

‘Në tri vitet e ardhshme Qeverisë së Kosovës i kushton 450 mijë euro anëtarësimi dhe nuk do të dëshiroja që të mbesin vetëm këto shpenzime dhe mos ta shfrytëzojnë ndërmarrjet tona, sepse janë praktikat nga shtetet fqinje që janë anëtarë të këtij fondi, por nuk kanë arritur të përfitojnë asgjë. Ndoshta mungesa e informimit, procedurat kanë ndikuar, e për këtë do të ndajmë një fond të veçantë për çështjen e përgatitjes apo informimit’, ka thënë ai.

COSME është programi i BE-së qëllimi i të cilit është të përmirësojë konkurrueshmërinë e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në BE dhe NVM-ve në shtetet e treta që marrin pjesë në këtë program.

COSME me një buxhet prej EUR 2,3 miliardë, ka për qëllim përmirësimin e qasjes në financa, qasjen në tregje, përmirësimin e kushteve të kuadrit ligjor dhe administrativ për konkurrueshmërinë e NVM dhe të promovojë sipërmarrjen.

COMMENTS